Partia Demokratike do të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese që të gjithë qytetarët shqiptarë me dokumenta të skaduara identifikimi të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Forca më e madhe e opozitës do të godasë në Kushtetuese aktin normativ të qeverisë, i cili lejoi vetëm emigrantët të votojnë me dokumenta të skaduara, pasi sipas opozitës kjo përbën shkelje të kushtetutës.
“Kjo është një tejkalim i qartë i Kushtetutës, është një shkelje e barazisë së shtetasve përpara ligjit; dy parime thelbësore që janë cenuar dhe ne besojmë që është në juridiksionin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në interesin e shqiptarëve në radhë të parë dhe të legjitimitetit të procesit në radhë të dytë që Gjykata Kushtetuese ta zhbëjë këtë vendim të turpshëm”, tha sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso.
PD do tu kërkojë gjyqtarëve që kjo çështje të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar.
“Besojmë duke u nisur nga sensitiviteti i çështjes dhe nga numri i madh i shqiptarëve që rrezikojnë të mos votojnë për shkak të vullnetit të mazhorancës socialiste Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha mundësitë të ndërhyjë shpejt dhe në kohë dhe këtë çështje që është kaq e qartë përsa i përket shkeljes së parimeve dhe të drejtave kushtetuese nga ana e mazhorancës ti japë drejtim në një kohë të nevojshme përpara zgjedhjeve”, tha Kaso.
Prej muajsh PD ka këmbëngulur që të gjithë qytetarët shqiptarë brenda apo jashtë vendit të mund të votojnë pavarësisht se karta e tyre e identitetit apo pasaporta ka skaduar, duke sjellë në vëmendje se e njëjta lehtësi është aplikuar në zgjedhjet e vitit 2021 dhe në zgjedhjet e vitit 2023.
Por qeveria miratoi një akt normativ ku afati i dokumentave të identifikimit shtyhej vetëm për diasporën./vizionplus.tv





