Partia Demokratike vijoi akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama për “benzinaton” që do të ndërtohet në Lungomaren e Vlorës, pavarësisht sqarimit që dha të premten kreu i qeverisë.

Me anë të një postimi në “Facebook”, ish-deputeti Agron Shehaj deklaroi se Rama do të japë tokë publike për oligarkët.

“Për pikën e karburantit “Kastrati” në Lungomare, Edi Rama ka dhënë tokë publike, duke ua marrë qytetarëve të Vlorës për t’ia dhënë oligarkut. Edi Rama prishi dhjetëra biznese me të cilat mbanin frymë qindra familje vlonjate, por nuk e preku karburantin. Pastaj ndryshoi planin e rregullimit të Vlorës që të lejonte rindërtimin e karburantit. Pastaj fali tokën publike që karburanti të bëhej shumë i madh. Pastaj lejoi shkatërrimin e investimit publik që ishte bërë aty, përfshirë shkatërrimin e palmave dhe të trotuarëve.  Në fund, rrahu dhe dhunoi vlonjatët që ngritën zërin dhe protestuan kundër kësaj shëmtie buzë detit të bukur të Vlorës.”

Shpjegimet e kryeministrit, që bënte me faj Gjykatën e Lartë për vendimin e shpronësimit, Shehaj i quajti përralla.

“Përrallat me Gjykatë të Lartë janë fasadë: edhe po nuk shpronësoi dot tokën, mjaft që qeveria të mos i japë licensë karburantit dhe as leje ndërtimi për ndonjë gjë tjetër dhe aty mbetet çdo gjë e pandryshuar. Por Edi Rama është në shërbim të oligarkut dhe jo të interesit publik. Në krahasim me portet, aeroportet dhe rrugët që Rama u ka falur oligarkëve, pika e karburantit vlen shumë pak, por ajo është një monument i babëzisë dhe plaçkitjes së pronës publike nga një kryeministër që ka braktisur krejtësisht popullin e tij. Kjo babëzi e ka kthyer Shqipërinë në pronë të pak njerëzve që po e trajtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si koloni të tyre, duke i plaçkitur dhe dhunuar.”

Edi Rama tha të premten se projekti për ndërtimin e një pike karburanti në Lungomare është peshqesh i drejtësisë së vjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *