Një rrjet kriminal që përdorte një call center të paligjshëm në Tiranë, ka rënë në prangat e drejtësisë pas një operacioni të përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve gjermane, që prej nisjes së hetimeve në dhjetor të vitit 2023.
Skema përfshinte mashtrime ndaj qytetarëve gjermanë, të cilëve u premtohej rikuperimi i humbjeve nga kriptomonedhat dhe tregtia në FOREX, duke u prezantuar si policë.
Nën pretekstin e hetimeve për humbjet, ata siguronin prej tyre shuma të mëdha parash.
“Gjatë hetimit këta shtetas i zhysnin qytetarët edhe më shumë në mashtrim. Më pas ne kemi bërë një kontroll të një call center në vendin tonë duke bërë të mundur sigurimin e provave dokumentare dhe digjitale”, tha Eneid Nakuçi, Prokuror i SPAK.
Operacioni i koduar “Pandora” çoi në lëshimin e 8 masave sigurie nga GJKKO, 5 arrest me burg dhe 3 arrest shtëpie. Deri tani janë ekzekutuar 6 prej tyre, ndërsa dy persona vijojnë të jenë në kërkim jashtë vendit.
Vetëm në rastin e 14 shtetasve gjermanë që kanë depozituar kallëzim pranë autoriteteve, dëmi i shkaktuar arrin mbi 363 mijë euro.
“Për sa i përket dëmit të shkaktuar, në këtë rast konkret, nga 7.5 mijë raste të konstatuara, arritëm të pengonim 6 mijë të tilla. Në këtë mënyrë të vepruari, ja dolëm që të ulim dëmin e shkaktuar nga kjo veprimtari kriminale në këtë procedim”, u shpreh Oliver Hoffman, Drejtues i zyrës kriminale, Land-it Baden-Württemberg
Gjatë kontrollit të ambienteve të call center-it më 18 prill 2024, u sekuestruan prova të shumta digjitale dhe dokumentare që pritet të përdoren në vijim të hetimeve.
/vizionplus.tv





