Edhe pse është në kërkim nga policia si furnizuesi i grupeve kriminale të Fushë-Krujës dhe Niklës me armë zjarri, kjo nuk e ka penguar aspak Ylli Zallën që banesën e tij ta kthejë sërish në një bazë arsenali për armë të ndryshme dhe lëndësh shpërthyese.
Ndërkohë që është një nga personat më të kërkuar nga blutë, nën hundën e Policisë së Fushë-Krujës, Ylli Zalla krijoi një tjetër bazë armatimesh brenda së cilës policia e gjeti 3 armë zjarri, 24 kallepë tritoli, 11 granata, 9 mijë fishekë dinamit, kanabis etj.
Zalla u shpall në kërkim në muajin nëntor si një nga personat e dyshuar se ka furnizuar me armë zjarri autorët që ekzekutuan në Rinas Gilmando Danin dhe Muçi Shaljanin. Gjatë kontrolleve të policisë vetëm përpara pak muajve, policia gjeti armë të shumta që i përkisnin pikërisht 49-vjeçarit. Pas ekpertizës, armët u zbuluan se nuk kishin dalë nga banesa e Ylli Zallës, por megjithatë ai është në kërkim për gjithcka qe u gjet në banesën e tij private.
49-vjeçari nuk është emër i panjohur për policinë. 12 vjet më parë ai u arrestua për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve në grupe terroriste.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Zhvillohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Tracking”.
Gjenden në fshatin Zall, Fushë Krujë, dhe sekuestrohen arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim poseduesi i tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku mbaheshin armë zjarri. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, Fushë Krujë, afër banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
-27 djegore;
-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv




