Një sasi e madhe prej afro 2.2 tonë kokainë është kapur në Peru. Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se grupi kriminal vepronte mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe Shqipërisë, ndërsa “kokat” e trafikut të lëndëve narkotike ishin dy shqiptarë.

 

Gjatë operacionit te quajtur “Bitcoin”, policia gjeti sasinë e madhe të kokainës të fshehur në kanaçe mes asparagëve te konservuara. Në pranga ranë shtatë persona, ndërsa janë ende në kërkim dy shqiptarët.

 

Policia tha se droga do të dërgohej nga porti pranë kryeqytetit Lima, në Roterdam të Holandës. Autoritetet bënë të ditur se po punohet intensivisht për kapjen e shqiptarëve.

 

CÉSAR ECHEVARRÍA
SHEF I DEPARTAMENTIT TE POLICISE ANTIDROGE

“Kemi pasur informacion për praninë e shtetasve shqiptarë në vendin tonë, të cilët punonin si agjentë, operatorë logjistikë, për lehtësimin e transportit dhe tregtisë së drogës në portin e Roterdamit, Holandë. Kjo organizatë planifikonte gjithashtu të paguante për këtë dërgesë me monedha virtuale, në këtë rast Bitcoin. Kjo është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Ne jemi duke punuar për të zbuluar vendndodhjen e dy shtetasve shqiptarë.”

 

Që nga fillimi i vitit, policia peruane ka sekuestruar rreth 35 tonë drogë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *