E shtunë, 31 Tetor 2026 Te Paekspozuarit deri në 04:30 Në vijim ora 04:30: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Kaos në shpërndarjen e ndihmave, 20 palestinezë humbin jetën teksa prisnin të merrnin ushqim

Pavarësisht thirrjeve të Perëndimit ndaj Izraelit  për lejimin e ndihmave në Gaza, sulmet vijojnë  të godasin popullsinë.

Ndërsa po përpiqeshin të merrnin ushqim  në një pikë  të shpërndarjes së  ndihmës humanitare të paktën 20 palestinezë mbetën të vdekur.

Reklamë

Grupi logjistik i mbështetur nga Tel Avivi  i cili përdor kompani private amerikane për të dërguar ndihma në Gaza, pretendoi se 19 persona u shkelën  dhe një  tjetër u vra gjatë asaj që e përshkroi si një “sulm kaotik dhe të rrezikshëm, të nxitur në turmë”.

Zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së bëri me dije se janë  regjistruar të paktën 875 vrasje brenda gjashtë javëve të fundit në pikat e ndihmës në Gaza.

Reklamë

Shkalla e kequshqyerjes te fëmijët në vend është dyfishuar që kur Izraeli kufizoi ndjeshëm hyrjen e ushqimit në mars.

Sakaq Tel Avivi  ka paralajmëruar se do të rrisë përfshirjen ushtarake në jug të Sirisë, nëse forcat qeveritare siriane nuk tërhiqen nga zonat e banuara nga pakica druze.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria izraelite do të vazhdojë të godasë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen dhe do të rrisë nivelin e përgjigjes nëse mesazhi nuk kuptohet.

Edhe kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i përkushtuar të ruajë rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar dhe të mbrojë pakicën druze në kufi.

Kërcënimi i Izraelit vjen pas shpërthimit të dhunës në qytetin Sueida, ku një armëpushim i arritur të martën mes forcave qeveritare siriane dhe grupeve të armatosura druze u thye sot.

Ministria siriane e Mbrojtjes akuzoi milicitë lokale për shkeljen e marrëveshjes, duke thënë se ushtria rifilloi operacionet për të “mbrojtur banorët dhe garantuar kthimin e sigurt të atyre që janë larguar”.

Izraeli, ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit druz, e konsideron këtë komunitet si aleat dhe është zotuar ta mbrojë nga kërcënimet në kufi./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë