Celia Flores, bashkëshortja e ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro, ka kërkuar lirimin nga burgu për arsye shëndetësore, duke kërkuar që të qëndrojë e izoluar në një rezidencë të përkohshme në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u bë i ditur të enjten, pasi avokati i saj, Mark Donnelly, paraqiti një kërkesë për lirimin e saj. Flores, 69 vjeçe, ndodhet e burgosur në një qendër federale paraburgimi në Brooklyn, në të njëjtin institucion ku mbahet edhe Maduro.
Sipas mbrojtjes, para arrestimit të saj në fillim të këtij viti, Flores gëzonte shëndet të plotë.
Gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë qëndrimit në burg, ku ka shfaqur probleme të rënda kardiake.
Avokati i saj argumenton se Flores ka nevojë për ekzaminime të arterieve koronare dhe, nëse është e nevojshme, për ndërhyrje mjekësore, duke theksuar se kushtet e paraburgimit nuk lejojnë trajtimin e duhur.
Mbrojtja ka kërkuar që ajo të transferohet në një banesë të përkohshme në SHBA, nën masa të rrepta sigurie. Mes kushteve të propozuara janë mbikëqyrja nga roje të armatosura 24 orë në ditë, përdorimi i një pajisjeje elektronike monitorimi dhe sekuestrimi i pasaportës.
Flores dhe Maduro u kapën gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në kryeqytetin venezuelian dhe u burgosën më 3 janar. Të dy përballen me akuza në SHBA për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt territorit amerikan.
Çifti i ka mohuar akuzat. Maduro ka deklaruar se është një “i burgosur lufte” i Shteteve të Bashkuara.





