Komunitetet ukrainase po zhvillojnë tubime paqësore në disa prej qyteteve më të mëdha të Kaliforniës për të shprehur mbështetje për atdheun e tyre, mes shqetësimeve se Rusia po përgatitet për ta pushtuar atë vend.

 

Ndërsa tensionet janë të larta midis Rusisë dhe Ukrainës, ukraino-amerikanët në Los Anxhelos zhvilluan një tubim proteste në një nga lagjet kryesore të qytetit.Duke valëvitur flamuj ukrainas dhe të veshur me rroba tradicionale, turma brohoriste në mbështetje të atdheut të tyre.

 

Mes thirrjeve që kumbonin dhe parullave të ndryshme, në sy të binte një pikturë e udhëheqësit rus që mban një hartë të Ukrainës me diçiturën: “Putin, larg duar nga Ukraina”.

 

Protesuesi Mykhailo Lavrys i tha Zërit të Amerikës se ai kishte dalë aty për të shprehur mbështetje për atdheun e tij.

 

“Po ngremë zërin kundër agresionit rus! Propaganda ruse po e keqinterpreton situatën në Ukrainë. Ukraina është një vend paqësor dhe demokratik. Ukraina nuk mbështet fashizmin! Ukraina mbështet paqen!”

 

Në solidaritet me Ukrainën, tubimeve u janë bashkuar edhe pjestarë të komuniteteve të tjera, përfshirë lituanezë, bjellorusë dhe gjeorgjianë.

 

Gjeorgjiano-amerikani George Patriashvili i tha Zërit të Amerikës se Ukraina po përballet me të njëjtin skenar si atdheu i i tij, Gjeorgjia.

 

“Ukraina po përjeton të njëjtin pushtim, që ka përjetuar Gjeorgjia gjatë 30 viteve të fundit! Jemi këtu për të mbështetur vëllezërit dhe motrat tona. Për t’i kërkuar qeverisë amerikane se duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur pavarësinë dhe lirinë e Ukrainës dhe ndaluar pushtimin rus.”

 

Banorët shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre. Disa u binin borive dhe të tjerët u bashkuan me protestën.

 

“Rusia aneksoi një pjesë të Ukrainës tetë vjet më parë dhe tani po përgatitet të pushtojë edhe më shumë. Siç dihet, Rusia gjithashtu ka nisur një luftë hibride, një luftë dezinformuese kundër Ukrainës dhe jo vetëm në Ukrainë, por në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë Evropën, në mbarë botën…”, thotë protestuesi Dan Benbenisti.

 

Në Santa Monica, në perëndim të qytetit Los Anxhelos, disa dhjetëra njerëz u mblodhën për të shprehur solidaritetin e tyre me Ukrainën dhe kërkuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin. Në San Diego, komuniteti ukrainas organizoi një tubim paqësor. Rreth njëqind ukraino-amerikanë u mblodhën në Parkun Balboa.

 

Një tubim i madh proteste u zhvillua gjithashtu edhe në San Françisko. Duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Mbështetje për Ukrainën” rreth 200 ukrainas mbushën sheshin.

 

Në mbështetje të protestes kishin ardhur shumë njerëz nga Lugina e Silikonit dhe studentë nga Universiteti Stanford dhe Universiteti i Kalifornisë në Berkley. Protestuesit në Kaliforni thonë se do të vazhdojnë organizimin e tubimeve derisa Rusia të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *