Avokati Spartak Ngjela shprehet se situata ndërkombëtare aktualisht është tërësisht në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve

 

Sipas tij, kjo vjen nga përkrahja e madhe e politikës amerikane për Shqipërinë dhe Kosovën, dhe për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

 

Për Ngjelën, “politika amerikane sot ka një qëllim të shpejtë politik: bashkimin gjithë-shqiptar.”

 

“Panshqiptarizmi në Ballkanin Perëndimor, do të jetë skemë e suksesshme e politikës amerikane kundër interesit të Rusisë në këtë zonë. Dhe kjo sot dallon që është politika qëndrore amerikane në Ballkan. Aktualisht janë dy shtete shqiptare në këtë zonë: Shqipëria dhe Kosova; por, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e në Malin e Zi, nuk janë jashtë vëmendjes amerikane. Një fakt politik ky, që tani e di edhe Beogradi, edhe Moska, edhe Parisi; dhe po shihet qartë tani se kjo i ka hedhur këta në sulm, por janë të pashpresë. Kurse, procesi për bashkimin panshqiptar ndërkohë po kuptohet se, tani së fundi, ka kaluar nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, ku, rregjistrimi real i popullsisë i nxori shqiptarët, në numur, të parët si popull, me 47 përqind. Ishte rasti i parë që shqiptarët u vlerësuan si numur, por si fillim, se ata, në ato treva, janë edhe më shumë…”

 

Ai shtoi se e gjithë kjo politikë e madhe që po bën Uashingtoni në favor të botës shqiptare në Ballkain Perëndimor, nuk po gjen shumë hapësirë në Tiranë dhe në Prishtinë.

 

“Mospranimi si një sistem i ri i politikës amerikane nga lidërshipët e qeverisjeve në Shqipëri, është një sëmundje e madhe dhe e vjetër e qeverisjes komuniste, por edhe e qeverisjes gjatë viteve 1992-1997, të cilat, ndryshe nga ndjesia e madhe proamerikane e shqiptarëve, kanë rënë ndesh me politikën amerikane. Kampionët e këtij fenomeni janë Enver Hoxha dhe Sali Berisha, të cilët, duke shfrytëzuar anti-intelektualizmin e tyre radikal, kanë vendosur në Shqipëri pushtet absolut me rrypat shqiptarë të katundeve e me interesaxhinjtë e vegjël, dhe kanë bllokuar me ta zhvillimin perëndimor të Shqipërisë, dhe, gjithmonë me një ngulmim antiamerikan në politikën e tyre.”

Më tej, ai paralajmëroi se Sali Berisha do të hetohet për “antiamerikanizimin” dhe korrupsionin e lartë familjar.

“Berisha ka frikë, nuk del dot hapur në antiamerikanizmin e tij, se ka frikë nga shqiptarët. Por është edhe naiv kur mendon se po i gënjen shqiptarët me përrallat e tij të shtirjes si “një luftëtar i amerikanizmit”. E bën këtë nga frika, apo nga intelekti i rënduar që ka aktualisht, kjo pak rëndësi ka, Berisha shpejt do jetë nën hetim për këtë që shprehëm, dhe për korrupsionin e lartë familjar. Por, gjithsesi, ky pritet të jetë një proces i nivelit të lartë gjyqësor, i cili do ketë në mbartjen e vet: realizimin e shpresës së shqiptarëve për një drejtësi perëndimore në proceset gjyqësore, dhe eliminimin e korrupsionit të lartë shtetëror, i cili është shkaktari kryesor i varfërisë së shqiptarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *