Juventus fitoi kupën e Italisë për herë të 15 në histori, duke thelluar ndjeshëm rekordin për sukseset në këtë trofe. Bardhezinjtë që niseshin në vigjilje jo si favorite mundën Atalantën 1 me 0.
Njeriu i ndeshjes ishte Dushan Vlahoviç i cili shënoi që në minutën e 4 pas një aksioni shumë të bukur, duke i dhënë mundësi skuadrës bardhezi të administronte rezultatin, përballë një rivali që nuk arriti të ngjitej në lartësinë e ndeshjeve të bukura të muajve të fundit.
Në golin e Juventusit ishte Gjimshiti që mbante në lojë sulmuesin serb, i cili në shpejtësi dogji mbrojtësin Hijen dhe shënoi në portën e Karnesekit. Vetëm pas një minutë Gati me kokë pati shansin për të dyfishuar rezultatin.
Skuadra e Gasperinit u përpoq të reagonte, por u ndesh me murin mbrojtësin Juventus, dhe në tërësi me një ekip shumë solid në aspektin taktik, që herë pas here në zbritje u përpoq të shfrytëzonte shpejtësinë e Vlahoviç dhe të Kiezes.
Vetëm në minutën e 44 rasti i parë serioz i Atalantës me anë të Pasalic. Me Skamaken e pezulluar dhe me De Ketelar të zëvendësues nga Ture për shkak të formës së dobët, Atalanta humbi pikat e referimit në sulm dhe i vetmi që u përpoq të bënte diçka ishte Lukman, i vetmi që kërcënoi në disa episode portën e Perin.
Në minutën e 54 episodi shumë i dyshimtë që acaroi shumë Alegrin dhe bardhezinjtë. Hijen preku me këmbë dhe gjithashtu shtyu Vlahoviçin, mirëpo për gjyqtarin Mareska nuk pati asgjë.
Serbi zhvilloi një ndeshje të madhe teksa pas disa minutash iu afrua sërish golit të dytë, përpara se VAR t’i mohonte edhe një gol për një pozicion jashtë loje milimetrik.
Pavarësisht volumit të lojës vetëm dy kërcënime të Atalantës, njëherë me Mirancuk dhe pastaj një shtyllë e Lukman, shumë pak për ta çuar ndeshjen në shtesë, përkundrazi Juventusi me MIRETIN gjithashtu goditi traveresën.
Festë e madhe e juventinëve në “Olimpiko” me Alegrin shumë të tensionuar dhe të acaruar me gjyqtarët kryesisht.
Pas tre vitesh gjasat janë që ai të largohet për herë të dytë nga pankina e bardhezinjve, me një trofe, i pesti në karrierë në kupën e Italisë me Juventusin, rekord më vete.
Ndërsa Gasperini humbi finalen e tretë të kupës së Italisë me Atalantën, por ka ende në lojë finalen më të rëndësishme, javën e ardhshme atë të ligës së Europës ndaj Bajer Leverkusen./vizionplus.tv





