Subscribe

Bashkia Himarë është zyrtarisht pa kryetar. Vetëm katër ditë pasi përfundoi në prangat e Prokurorisë së Posaçme, kryetari në detyrë Jorgo Goro dha dorëheqjen nga qelia e paraburgimit përmes një letre që i drejtohet këshillit bashkiak. 12 vjet e 10 muaj në krye të kësaj bashkie, Goro thotë se e drejtoi qytetin pasi nuk kishte tjetër zgjedhje në një kohë kur i zgjedhuri Fredi Beleri ndodhej në burg.

“S’mund ta lija detyrën se s’kishte kush ta merrte dhe largimi im vetëm do të shtonte konfuzionin kur Himara u kthye në mollën e një konflikti politik absurd në nivelet më të larta mes dy shteteve. Megjithëse e dija se sa shumë ishin lidhur fijet e manipulimit propagandistik, për gjoja shpëtimin e pronave të Himarës, me fijet e manipulimit elektoral për të mbushur autobusët me premtime dhe xhepat e pasagjerëve elektoralë me para, nuk e prisja atë rezultat. Por nuk kisha as si të flisja dhe t’i hidhja benzinë një zjarri përçarjeje që përfshiu mediat e Athinës dhe Tiranës dhe arriti deri në Bruksel”, shkruan Goro.

Lexo edhe :

Related Posts

Ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit, Goro i quajti organizatë e përbërë nga njerëz të paskrupullt.

“Një organizatë anadollake e minoritetit fatkeqësisht bindi një shtet të BE-së se po lufton gjoja për të drejtat e njeriut në Himarë. Po në fakt ajo organizatë orkestrohet nga njerëz të paditur, pa skrupuj dhe pa ideale. Përveç parasë dhe rakisë! Marifetçinj të babëzitur që kush i njeh e di për kë dhe për çfarë flas. Tamam një çetë nga ato të kohërave të errëta që mbahet për forcë politike. Vetëm sherrin i ka parë dhe do t’i shohë Himara dhe minoriteti grek në tërësi për sa kohë nuk do t’u bjerë maska edhe në Athinë”, shkruan Goro.

Ish-kreu i bashkisë thotë se dorëhiqet me kokën lart për tu përballur me drejtësinë, ndonëse akuzat e prokurorisë i quan absurde.

“Ky është një absurditet me të cilin do më duhet të përballem para gjykatës me faktet e mia dhe të drejtën që e kam me ligj e me moral. Jo në hotele dhe rezidenca të ndërtuara mbi prona të grabitura nga shteti për “oligarkët” siç bërtasin spekulantët anadollakë të lokalitetit, po në troje të kontraktuara me çmime apo kushte gjithnjë dhe më të favorshme nga cilado familje himariote që ka dëshiruar t’i japë të vetat për zhvillim”, shkruan Goro.

Por, menjëherë pasi njoftoi publikisht dorëheqjen, Goro, sipas burimeve përfundoi në spitalin e burgut. Ai vuan nga probleme kardiake dhe tensioni i lartë. Sipas SPAK, Jorgo Goro ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në bashkëpunim me tre ish zyrtarë, ata të Bashkisë Himarë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të tjetërsuar pronat në Dhërmi.

Goro u arrestua mbrëmjen e 23 marsit, ndërsa kallëzimin për të e bëri rivali i tij në zgjedhjet e 14- majit, Fredi Beleri që u arrestua vetëm 2 ditë përpara procesit te votimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *