Kohët e fundit një aksion i autoriteteve po sekuestron objekte ndërtimi që kanë tejkaluar lejen e miratuar.
Rregullat e reja të bëra publike nga kryeministri në fushën e ndërtimit, flasin se nuk do të pajiset me librezë ujë/energjie ato objekte që nuk kanë marrë ende një leje shfrytëzimi nga bashkia.
Qëllimi është që të mbrohet qytetari nga çdo abuzim i mundshëm. Por realiteti tregon se rregullat e reja krijojnë konfuzion në praktikë.
“Që të marrësh lejen e shfrytëzimit patjetër duhet të kesh të lidhur objektin me ujë dhe energji. Ky rregull është në kundërshtim me ligjin aktual, sepse kolaudimi që i bëhet objektit në fund ka nevojë për testime”, sqaroi Arben Dervishaj nga Shoqata e Ndërtuesve.
Paralelisht kryeministri njoftoi se nuk do ketë shitje objektesh pa marrë më parë hipotekën. Por kjo deklaratë ka nevojë të shoqërohet me përcaktim afatesh konkrete thonë ndërtuesit.
“Ne jemi shumë dakord me këtë propozim, por qeveria duhet të vendosë afate të respektueshme. Ne aplikojmë për leje shfrytëzimi, por ajo zgjat 6 muaj. Për mua ky afat duhet të jetë një muaj. Ligji për disiplinimin e ndërtimeve parashikon kontrolle në çdo fazë të objektit. Nga eksperienca ime kam bërë kërkesë prej tre muajsh për piketim objekti, por skam asnjë përgjigje. Ka objekte që rrinë një vit në kadastër dhe nuk e marrin hipotekën. Ky nuk është faji i ndërtuesve”, sqaroi Dervishaj në Vizion Plus.





