Prokuroria e Korçës dërgon në gjyq tre persona për fajde dhe pastrim parash
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasit J.K., K.K. dhe A.G., të akuzuar për ushtrimin e paligjshëm të veprimtarisë financiare (fajde), pastrim të produkteve të veprës penale dhe largim nga vendi i qëndrimit.
Sipas organit të akuzës, hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 357/2024 zbuluan se shtetasi J.K., ndonëse nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, largohej çdo ditë nga banesa duke vijuar aktivitetin kriminal. Ai rezulton i dënuar më parë për vepra të rënda penale, përfshirë trafikim dhe prodhim të narkotikëve.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi rreth 92 sende dhe dokumente, përfshirë kontrata noteriale shitblerjeje, dhurimi, hipoteke e pengu, mjete identifikimi, telefona celularë, çelësa automjetesh si dhe disa automjete të gjetura brenda dhe jashtë oborrit të banesës.
Nga hetimet rezultoi se J.K., në bashkëpunim me K.K. dhe A.G., ushtronin në mënyrë të përsëritur dhe të organizuar veprimtari kredidhënieje pa licencë nga Banka e Shqipërisë, duke maskuar fajden me kontrata formale huaje, shitblerjeje apo dhurimi. Huadhëniet shoqëroheshin me garanci reale mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, afate të shkurtra shlyerjeje dhe përvetësim pasurish në rast mospagese.
Sipas të dhënave nga ASHK, të pandehurit kanë përvetësuar pasuri me vlerë shumë herë më të lartë se shumat e dhëna borxh, ku vetëm vlera e provuar e parave të dhëna me fajde kap shifrën mbi 200 mijë euro. Në shumë raste, për borxhe relativisht të vogla janë kaluar në pronësi automjete apo pasuri të paluajtshme me vlerë disa herë më të madhe.
Prokuroria konkludon se të tre të pandehurit kanë kryer edhe veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, duke futur në qarkullim ekonomik të ardhura me origjinë kriminale përmes transaksioneve të ndryshme, përdorimit të llogarive bankare dhe regjistrimit të pasurive në emra të tjerë. Ekspertimet kontabël kanë evidentuar mospërputhje të theksuara mes të ardhurave të ligjshme dhe pasurive të krijuara, duke vërtetuar se këto të fundit janë produkt i veprimtarisë kriminale.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Korçës.





