Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për emërtimin “Sokol Olldashi” të një rruge në Tiranës, gati tetë vite pasi u nda nga jeta.

Ndërsa e cilësoi këtë vendim një keqpërdorim politik në kulmin e fushatës zgjedhore, Patozi shkruan se ishte diçka e pacipë dhe se shkon përtej dekoratave që shpërndan presidenti Ilir Meta.

“RUHUNI NGA “NDERIMI” I TYRE. Dhe ankohen për dekoratat e Ilir Metës këta pastaj… Në fakt janë edhe më të pacipë, sepse nuk kanë kufinj, që nuk kapërcejnë.  Dy javë para zgjedhjeve qenka kujtuar Erion Veliaj të vlerësojë Sokol Olldashin, ndërkohë që ai ka ndërruar jetë para 7 vjetësh. Mund ta kishte bërë para shumë kohësh, se aty ka qenë, por mund të duronte edhe 20 ditë, sa të kalonte 25 prilli.  Dhe mirë që e gjen sot për t’i vendosur emrin e tij një rruge të Tiranës, por na shitet se këtë e ka bërë në emër të bashkimit. Mua, një herë, nuk më bashkon dot me këtë keqpërdorim të pastër politik, në kulmin e fushatës zgjedhore. Por kam bindjen se janë edhe shumë të tjerë, që dinë ta ndajnë respektin dhe nderimin për Sokol Olldashin, nga ata që duan të përfitojnë politikisht prej emrit të tij edhe pas vdekjes.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *