Subscribe

Shqipëria po përgatitet për të pritur disa qindra qytetarë afganë, të cilët bashkëpunuan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë dy dekadave që zgjati lufta në Afganistan.

I gjithë operacioni po koordinohet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s dhe pak detaje janë mësuar. Pritet që numri i afganëve që do të mbërrijnë në Shqipëri të jetë rreth 300, por numri i saktë ende nuk dihet.

Edhe vendi ku do të strehohen nuk është mësuar, por Tirana e Durrësi janë qytetet më të mundshme për t’i pritur, kryesisht për shkak të afërsisë së tyre me aeroportin.

 

E ndërsa qeveria zyrtarisht nuk ka bërë publik asnjë detaj për këtë operacion, shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka në rrjetin social twitter përcjellë mesazhin se Tirana zyrtare do të jetë në krah të aleatëve të saj në këtë situatë të vështirë.

 

 

OLTA XHACKA

MINISTRE E JASHTME

 “Shqipëria është gati të presë qindra afganë, jeta e të cilëve kërcënohet nga përkeqësimi i situatës së sigurisë. Ne qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, të gatshëm për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre”

 

 

Ministrja e jashtme ka shpërndarë edhe një postim të sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, i cili ka publikuar deklaratën e përbashkët të 70 vendeve për situatën në Afganistan.

 

Mes 70 shteteve është edhe Shqipëria e Kosova dhe në këtë deklaratë theksohet se prioritet është siguria e qytetarëve të huaj dhe atyre afganë që dëshirojnë të largohen nga vendi.

 

I gjithë koalicioni bën apel që afganët dhe qytetarët e huaj të lejohen të largohen nga vendi, rrugët, aeroportet dhe pikat kufitare  të mbeten të hapura dhe duhet të ruhet qetësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *