Izraeli thotë se forcat e sigurisë kanë vrarë tre militantë palestinezë në Bregun Perëndimor të okupuar.

Sipas autoriteteve izraelite, operacioni ka ndodhur në qytetin Nablus dhe se të vrarët dyshohet se ishin përgjegjës për disa sulme me armë që kanë ndodhur së fundmi.

Agjencia për siguri e Izraelit, Shin Bet tha se tre persona ishin në një veturë dhe u vranë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë. Sipas kësaj agjencie, nuk ka viktima apo të plagosur në anën izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë konfirmoi se tre persona janë vrarë.

Fotografitë e tre personave të vrarë kanë qarkulluar në internet, teksa ata në këto fotografi paraqiteshin me pushkë në dorë dhe duke mbajtur shenjën e Brigadës së Martirëve të Al-Aksa, një grup i armatosur që besohet se ka lidhje me partinë Fatah të presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Ky grup militant tha se tre personat ishin “martirë” dhe u zotuan se do të hakmerren.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Benny Gantz përgëzoi forcat e sigurisë për këtë aksion dhe tha se ai së fundmi ka urdhëruar që të kryen operacione të sigurisë në këtë zonë.

“Ne do të vazhdojmë operacionet tona proaktive dhe do të pengojmë apo kapin çdo person që tenton që t’u bëjë keq njerëzve”, tha ai.

Në javët e fundit ka pasur rritje të sulmeve me armë zjarri dhe me thika nga palestinezët në Bregun Perëndimor. Një izraelit është vrarë në dhjetor.

Izraelitët që jetojnë në Bregun Perëndimor po ashtu kanë kryer sulme ndaj palestinezëve, duke shkaktuar dëmtime në objekte dhe duke sulmuar palestinezët, por pa shkaktuar viktima.

Izraeli ka okupuar Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967 dhe palestinezët duan që ky territor të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Afro 500,000 izraelitë jetojnë në vendbanimet e ngritura në këtë zonë, ku jetojnë edhe mbi 2.5 milionë palestinezë./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *