Izraeli u bëri thirrje të hënën banorëve që jetojnë në një pjesë të qytetit të dytë më të madh të Rripit të Gazës, Khan Younis, të evakuohen, ndërsa ushtria izraelite kryen operacione tokësore e ajrore, që kishin në shënjestër militantët e Hamasit.

 

Khan Younis ndodhet në jug të Gazës. Në këtë qytet u zhvendos një pjesë e mirë e popullatës ndërsa Izraeli nisi fushatën ushtarake kundër Hamasit, në pjesën veriore të rajonit.

 

Izraeli ka lëshuar një numër të madh paralajmërimesh për banorët që të largohen nga zonat në rrezik, të cilat më pas janë sulmuar, por ai është përballur gjithashtu me kritika nga zyrtarët e OKB-së. Këta të fundit thonë se në kushtet kur në Gazë mungon energjia elektrike dhe interneti nuk është i garantuar, është e vështirë që popullata të ketë qasje tek informacioni.

 

Gjermania tha të hënën se pret nga Izraeli që jo vetëm të informojë njerëzit që të largohen nga zonat e rrezikshme, por që gjithashtu të sigurohet, që ata të jenë në gjendje të gjejnë “strehim të sigurt diku tjetër”.

 

OKB-ja ka bërë paralajmërime dhe mbi situatën e vështirë humanitare në Gazë, në kushtet ku rreth 80% e popullsisë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre dhe shumë vetë po qëndrojnë në strehimore të mbipopulluara.

 

Po kështu shqetësime ka patur dhe mbi ndikimin që do të kishte intensifikimi i luftimeve në pjesën jugore të Gazës, tek rrjedha e ndihmës humanitare, e cila është futur përmes kufirit jugor me Egjiptin.

 

Ushtria izraelite tha të hënën se kishte sulmuar gjatë natës 200 objektiva të Hamasit, si dhe kishte shkatërruar mjedise të militantëve brenda shkollave në veri të Gazës. Izraeli e ka akuzuar Hamasin se ka operuar brenda spitaleve dhe zonave të tjera civile si dhe ka inkurajuar popullatën të shpërfillë paralajmërimet izraelite për evakuim përpara sulmeve ajrore, duke i përdorur ata si mburoja, një akuzë që Hamasi e ka hedhur poshtë.

 

Izraeli njoftoi se gjatë luftimeve ishin vrarë edhe tre ushtarë izraelitë, dy humbën jetën të dielën në betejat në veri të Gazës dhe tjetri në pjesën qëndrore të rajonit.

 

Të paktën 300 palestinezë janë vrarë që nga përfundimi i armëpushimit njëjavor mes Izraelit dhe Hamasit, duke e rritur numrin e të vdekurve në Gazë, në më shumë se 15,200 persona. Po kështu më shumë se 40 mijë vetë janë plagosur, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi. Po sipas ministrisë, 70% e viktimave janë gra dhe fëmijë.

 

Pas prishjes së armëpushimit, zyra e zotit Netanyahut njoftoi se kishte udhëzuar ekipin negociues që ndodhej në Doha të Katarit, të kthehej në Izrael. Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake me synimin për të shkatërruar Hamasin, pas sulmit terrorist të grupit militant më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 izraelitë, si dhe u morën peng rreth 240 persona./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *