Ushtria izraelite ditë ne sotme ka shumëfishuar goditjet e saj në Rripin e Gazës, në kuadrin e luftës që shpalli për të “eliminuar” Hamasin dhe mund të zgjasë “shumë muaj”, pavarësisht shqetësimeve gjithnjë e në rritje për situatën humanitare.

Ndërkohë, në një shenjë tjetër se konflikti po merr përmasa më të gjera, SHBA-ja njoftoi se kishte përgjuar në Detin e Kuq drone dhe raketa të lëshuara nga rebelët shiitë Houthi të Jemenit, të cilët kërcënojnë interesat izraelite në shenjë “mbështetjeje” për gazanët.

Lexo edhe :

Related Posts

Në enklavën palestineze, forcat e armatosura izraelite janë përfshirë në “betejat” në “Khan Younis” (jug), ndërsa “zgjerojnë” operacionet e tyre në pjesën qendrore të saj, tha mbrëmë zëdhënësi i tyre Daniel Hagari.

Ata urdhëruan që civilët të largoheshin nga kampi al-Burajj dhe rrethinat e tij. Disa kanë mbërritur tashmë në Rafah, me bagazhe. Më shumë se 240 persona u vranë në 24 orë, tha dje ministria e Shëndetësisë e Hamasit.

Trupat palestineze u dërguan me kamion në Rafah, ku u varrosën në një varr masiv, zbuloi një gazetar i AFP.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu gjithashtu “shqetësimin e tij të thellë për bombardimet e vazhdueshme izraelite në qendër të Gazës”, duke bërë thirrje për një “dallim” midis civilëve dhe luftëtarëve.

Ushtria izraelite thotë se viktimat e saj që nga fillimi i operacioneve tokësore në Rripin e Gazës gati dy muaj më parë, më 27 tetor, janë 164.

“Ju shohim”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në fillim të kësaj jave se ofensiva e ushtrisë së tij në Rripin e Gazës do të “intensifikohej”.

“Ne u themi terroristëve të Hamasit: ne ju shohim, ne po vijmë, do të intensifikojmë luftimet në jug të Gazës dhe gjetkë ,” tha ai pas një vizite në agjencinë izraelite të hapësirës.

Dhe dje shefi i Shtabit të Izraelit, gjenerali Herchi Halevi , paralajmëroi se operacionet mund të zgjasin edhe “shumë muaj”, pasi “objektivat e kësaj lufte nuk janë të lehta për t’u arritur”.

Udhëheqja civile-ushtarake e Izraelit është zotuar të “eliminojë” Hamasin pasi krahu i tij ushtarak filloi një sulm të paprecedentë në sektorët jugor të territorit izraelit më 7 tetor, kur u vranë 1,140 njerëz, kryesisht civilë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *