Ushtria izraelite bëri të ditur të shtunën se prej shpërthimit të luftës në Gazë, më 7 tetor, kishte goditur më shumë se 50 objektiva në Siri, të lidhura me lëvizjen libaneze Hezbollah që mbështetet nga Irani.

Deklaratat u bënë në një konferencë për shtypin, nga zëdhënësi kryesor ushtarak, kundëradmirali Daniel Hagari, i cili foli kryesisht mbi përpjekjet për të mposhtur sulmet e Hezbollahut të kryera në solidaritet me Hamasin. Zakonisht Izraeli është rezervuar të flasë mbi operacionet në Siri.

Kudo që është Hezbollahu, do të jemi edhe ne. Ne do të ndërmarrim veprime kudo që kërkohet në Lindjen e Mesme“, tha zoti Hagari.

Forcat izraelite kanë sulmuar 34,000 objektiva të Hezbollahut në Liban, mes tyre 120 pika të mbikëqyrjes kufitare, 40 depo me raketa e armë të tjera si dhe më shumë se 40 qendra komanduese, tha kundëradmirali Hagari. Ai tha se numri i të vrarë në radhët e armikut ishte më shumë se 200 persona.

Zoti Hagari tha se Izraeli kishte vendosur tre divizione ushtarake në kufi me Libanin në pritje të përfshirjes së Hezbollahut pasi Hamasi palestinez nisi sulmin terrorist më 7 tetor, që u bë shkak për luftën në Rripin e Gazës.

Ndërsa me dhjetëra mijëra banorë në veri janë evakuuar, Izraeli ka kërcënuar se do të përshkallëzojë luftimet me Libanin nëse Hezbollahu nuk tërhiqet nga kufiri dhe ka kërkuar ndihmë nga Perëndimi për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Bejrutin./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *