Izraeli ka shpëtuar dy pengje pas një operacioni ushtarak në jug të rripit të Gazës, gjatë orëve të para të mëngjesit.

Nga i njëjti operacion i cili u shoqërua me bombardime të shumta, sipas zyrtarëve lokalë raportohet të kenë mbetur mbi 60 viktima palestinezë.

Bastisja u krye në Rafah, qytet jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit.

Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që gjendeshin si në banesë dhe në ndërtesat përreth.

Izraeli e ka përshkruar këtë zonë si bastionin e fundit të mbetur të Hamasit në Gazë dhe ka sinjalizuar se një ofensivë tokësore shumë shpejt do të shënjestrojë këtë qytet të mbushur me banorë. Të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden ka paralajmëruar kryeministrin Netanyahu, të mos kryejë një operacion ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm dhe të zbatueshëm për të mbrojtur civilët.

Operacioni tokësor në Rafah ka ngritur shqetësim të madh në vendet e Lindjes së Mesme por edhe tek aleatët perëndimorë.  Ndërkohë, Izraeli thotë se rreth 100 pengje vazhdojnë të mbahen nga Hamasi, i cili po mban gjithashtu mbetjet mortore të afër 30 të tjerëve që kanë humbur jetën që prej 7 tetorit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *