Izraeli dhe Hamasi, të cilët janë në luftë në Rripin e Gazës, arritën sot një marrëveshje për të sjellë ndihma humanitare për popullsinë e enklavës së rrethuar palestineze dhe ilaçe për pengjet izraelite, njoftoi Ministria e Jashtme e Katarit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Doha njoftoi sot suksesin e ndërmjetësimit” të kryer së bashku nga Katari dhe Franca në arritjen e një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Hamasit, e cila parashikon që ilaçet dhe ndihmat humanitare do t’u ofrohen civilëve në Gaza në këmbim të dërgimit të barnave të nevojshme për pengjet izraelite.

Barnat dhe një dërgesë me ndihma humanitare do të nisen nga Doha nesër, të mërkurën, për në qytetin egjiptian Aris për të filluar dërgesën e tyre në Rripin e Gazës, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Majed al-Ansari.

Më herët Uashingtoni u shpreh optimist për përfundimin e mundshëm të një marrëveshjeje të re për lirimin e pengjeve.

I dërguari i SHBA për Lindjen e Mesme Brett McGurk ka qenë në Doha ditët e fundit duke diskutuar një marrëveshje të mundshme për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

“Ne jemi optimistë që bisedimet do të japin fryte dhe së shpejti”, tha përfaqësuesi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *