Tre anije italiane janë ankoruar në Portin e Durrësit, duke sjellë një mesazh të fortë bashkëpunimi ndërkombëtar, kulture dhe solidariteti.
Këto anije përfaqësojnë marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Italisë dhe reflektojnë misionet e ndryshme të marinës italiane. Ceremonia u hap fillimisht në bordin e anijes historike “Amerigo Vespucci”, e njohur si një nga anijet më të bukura në botë, që tërheq vëmendjen me velat tradicionale.
“Si ambasadë, jo vetëm e kemi mbështetur, por kemi besuar shumë në këtë nismë. Janë më shumë se 1500 të rinj të shkollave, që do ta vizitojnë anijen, që ka një simbolikë. Një ambasadë lëvizëse. Besoj se duke qenë në Shqipëri në këtë ditë të veçantë përforcon idenë e një bashkëpunimi të fuqishëm dypalësh, që prek shumë sektorë. Duhet të lundrojmë bashkë, për t’ia dalë mbanë”, tha ambasadori italian Marco Alberti.
“Anija “Vespucci ” rikthehet në Durrës, pas një udhëtimi mbresëlënës, ku shumë pjesëtarë të ekuipazhit kujtojnë ende mikpritjen shqiptare dhe mirëpresim sa më shumë vizitorë në bordin e saj gjatë tri ditëve të qëndrimit këtu”, tha komandanti i Velierës, Giuseppe Lai.
Një tjetër anije e ankoruar në Portin e Durrësit është Katamarani “Lo Spirito di Stella”. Bëhet fjalë për një anije të veçantë, e përshtatur për të garantuar akses dhe lëvizshmëri për personat me aftësi ndryshe.
“Është hera e parë që vijmë në Durrës. Katamarani “Lo spirito di stella” është i pari në botë për personat me aftësi ndryshe. U ndërtua në 2002 nga Andrea Stella, pasi pësoi një aksident dhe u paralizua. Më pas themeloi dhe një shoqatë me të njëjtën emër si anija. Deri më tani janë 5 mijë persona me aftësi ndryshe dhe shoqëruesit e tyre që kanë lundruar me këtë anije”, tha kapiteni Stefano Loci.
Ndërkohë, Forca Detare shqiptare këtë të martë ka marrë zyrtarisht në dorëzim anijen patrulluese “Libra”, një dhuratë nga shteti italian që do të kontribuojë në forcimin e sigurisë detare.
Kjo anije e teknologjisë së fundit është ndërtuar për misione patrullimi dhe mbrojtjeje në ujërat territoriale shqiptare.
Anija “Amerigo Vespucci” e cila rikthehet në Durrës pas më shumë se dy vitesh do të qëndrojë e hapur për tre ditë, ndërsa anija Libra deri më 21 prill./vizionplus.tv





