Subscribe

Italia feston sot 74 vjetorin e Ditës së Republikës. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë nuk pati paradë tradicionale për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Segio Mattarrella bëri thirrje për përpjekje të përgjegjshme për kapërcimin e kësaj krize të pashembullt të shkaktuar nga pandemia, ndërsa falenderoi të gjithë mjekët të cilët ishin në vijën e parë të frontit.

SERGIO MATTARELLA
PRESIDENT I ITALISE

“2 qershori është një ditë për të reflektuar mbi vlerat themelore republikane. Në përvjetorin e themelimit të Republikës, shumë prej nesh ndihen të tronditur nga humbja e njerëzve, familjarëve, miqve apo kolegëve për shkak të koronavirusit, në shumë raste edhe pa i dhënë lamtumirën e fundit. Por Italia ka treguar shembullin e saj më të mirë në këtë emergjencë dhe unë jam krenar për vendin tim. Kjo krizë u ka kërkuar të gjithëve një përpjekje të jashtëzakonshme dhe unitet. Fatkeqësisht  kriza nuk ka mbaruar ende dhe pasojat do të ndihen për një kohë të gjatë.”

Pas apelit për unitet, Mattarella, i shoqëruar nga kryeministri Giuseppe Conte, mori pjesë në ceremoninë e Ditës së Republikës në Romë.

Ata mbajtën homazhe në bustin e Ushtarit të Panjohur dhe, si asnjë herë më parë, të gjithë mbanin maska, ndërsa në qiell Aeroplanët formuan flamurin Italian.

Presidenti mbajti homazhe edhe në Lombardi, në përkujtim të viktimave që humbën jetën nga COVID-19.

2 dhe 3 qershori  i vitit 1946 shënojnë ditët historike kur Italia vendosi për ndryshimin e sistemit qeverisës pas rënies së fashizmit.

Në nder të kësaj dite presidenti Ilir Meta uroi homologun e tij Italian, ku përmes një letre i shprehu urimet e ngrohta miqësore për popullin mik Italian. Ai nënvizoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve edhe në këtë kohë të krizës së pandemisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *