Disa të rinj të fshatit Grecalli në Fier e përshkruajnë 38-vjeçarin që vrau dhe groposi fëmijën 8 vjeç si “pijanec dhe njeri të keq”.
“Është pijanec, të tëra i ka ai. Mua nuk më ka bezdisur. Për të folur fliste si njeri tamam. Kështu dukej djali i mirë, komunikonte mirë. Nuk më ka thërritur mua ndonjëherë në banesë. Me moshatarët e tij ishte njeri normal. Për të punuar punonte ku të gjente. Shtëpia ku jetonte ai ishte si një kasolle. Nuk kishte kushte. Normal që kemi frikë, sot ia bëri atij, nesër mund të ma bëjë mua.”
Një tjetër banor u shpreh se autori ishte rritur në një familje pa nënë dhe pa baba.
“Bëni mirë ta vrisni, mos ta fusni fare në burg. Para 20 vitesh ka përdhunuar një vajzë. Jam i frikësuar se kam një vëlla të vogël vetë. Po të më ndodhte mua, s’do ta lija ta kapnin, por do ta vrisja vetë.”
Policia bëri të ditur se rreth orës 15.30 kishte marrë njoftim nga nëna e fëmijës se djali i saj nuk ishte kthyer ende në shtëpi, në fshatin Grecalli. Menjëherë u bë shpallja në kërkim dhe në vetëm pak orë, dëshmitë dhe gjurmët i çuan agjentët tek shtëpia private e 38-vjeçarit Klodian Çalamani.
Gjatë kërkimeve, policia gjeti trupin e pajetë të fëmijës të groposur e të mbuluar me baltë, në një cep të oborrit.
Autori i dyshuar u arrestua, ndërsa trupi i fëmijës u dërgua në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore që do të saktësojë dhe shkakun e vdekjes.





