Katër persona në Vlorë, të cilët ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë arrestuar nga policia.

 

Blutë bëjnë me dije se katër të arrestuarit ishin dënuar nga gjykata e Vlorës me burg për shpërdorim detyre, prodhim të lëndëve narkotike apo heqje të padrejtë të lirisë.

 

Kontrolle të befasishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”.

 

Kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. 

 

Strukturat e DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve në varësi, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, kanë hartuar një plan masash në kuadër të të cilit janë zhvilluar kontrolle të befasishme në ambiente të ndryshme që mund të frekuentohen nga persona të shpallur në kërkim, me qëllim kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale. 

 

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara janë kapur 4 shtetas të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.  

 

Shërbimet e Sektorit të Hetimit të Krimeve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, të DVP Vlorë, kanë kapur shtetasit:

 

– M. M., 64 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

 

– Arsen Shyti, 39 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 3 vjet, 3 muaj e 25 ditë burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve”.

 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë kapur shtetasit:

 

– Miky Ibrahimi, 44 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

 

-Eliton Demiraj, 41 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *