Kryeministri Edi Rama, siç është kthyer në traditë tashmë, i është përgjigjur komenteve të ndjekësve në rubrikën “Sy më Sy” në “Facebook”.
Rama tha se pasaporta europiane është i rëndësishme për çdo familje shqiptare.
Më tej u ndal edhe tek ndryshimet që ka bërë PS gjatë pushtetit të saj, teksa nënvizoi se vetëm kush nuk do të shohë, s’e kupton ndryshimin e madh që i është bërë Shqipërisë.
Rama: Nuk po të them çfarë mendoj unë për komentin tënd dhe për hyrjen e Shqipërisë në BE, por po të pyes ty, po BE-në do ta kishte zili vallë Nastradini sipas teje, meqë do të na fusë në gjirin e saj sa më parë? E ke dëgjuar ti BE-në kur thotë, duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë brenda 2027-s? Apo dhe kjo të bën për të qeshur ty meqë sipas teje ne s’kemi drita. Faleminderit gjithsesi për atë gjigandin, se një të vërtetë të vogël e ka edhe kjo, jo thjeshtë ngaqë unë jam i gjatë, po ngaqë e kam kaq të madh durimin, sa merrem edhe me komente si të tuat, duke mos harruar se sado i zhytur të jetë në kënetë dikush që bën këto komente, është detyra ime ta respektoj si qytetar i këtij vendi gjithsesi.
Po të isha si bufi, edhe Shqipëria do ishte si e bufit, një vend që s’e merrte askush seriozisht, një vend i zhytur në borxhe dhe në kriminalitet, me mbi 100 e kusur vrasje në vit, me qytete të rrënuara nga harresa, me një turizëm që mbahej gjallë vetëm nga patriotizmi shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Po sot? Sot vetëm kush nuk do të shohë, nuk sheh dhe s’ka më të verbër se ai që i ka sytë, por refuzon të shikojë. Apo më shurdh se ai që i ka veshët, por nuk do e nuk do që të dëgjojnë.





