Ish polici Santiago i dyshuar për plagosjen e trefishtë të dy vëllezërve/ VIDEO
Ish polici Santiago Malko që u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në kryeqytet, dyshohet se në të kaluarën ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale, si një nga autorët e plagosjes së 3 personave.
Bëhet fjalë plagosjen e vëllezërve Rivelino e Juxhin Mumajesi më 27 qershor të 2018-ës në zonën e kinostudios në Tiranë.
Ngjarja ndodhi në një lokal që shërbente edhe si pikë bastesh sportive, ku disa persona u përfshinë në një sherr që më pas përfundoi në përdorimin e 2 armëve.
Kamerat kanë fiksuar 2 persona jashtë lokalit që qëllojnë në drejtim të vëllezerve por edhe ndaj një personi tjetër i cili gjithashtu mbeti i plagosur.
Pamjet filmike nuk qartësojnë figurën e autorëve të plagosjes së trefishtë por në atë kohë Santiago Malko u dyshua nga policia për shkak të një konflikti që kishte me vëllezërit Mumajesi.
Në vendngjarje uniformat blu sekuestruan 9 gezhoja si dhe shoqëruan për verifikim 23 persona ndërsa një i ri u arrestua pasi tentoi të fshinte pamjet filmike të kamerave të bizneseve në zonë.
Për vrasjen e Malkos, në kërkim janë shpallur vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka si dhe 6 persona të tjerë ndërsa pas hekurave vijon të qëndrojë vetëm Blendi Teta i cili akuzohet se ka penguar hetimet.
Hetimet i kanë kaluar prokurorisë së krimeve të rënda pasi ekzekutimi dyshohet se u krye nga një gruo i strukturuar kriminal.





