Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë me dënime dhe gjoba ndaj spekulantëve të çmimeve ushqimore në treg.

Panariti shprehet se çoroditja e tregut, paraliza e transportit dhe kufizimi i lëvizjes së njerëzve për shkak të krizës, çon në rritje spekulative të çmimeve.

“Qeveria të përcaktojë: – Sa shumë është “shumë”?, me çmimet e ushqimeve në treg. Vetëm më pas ajo mund të ndërhyjë me dënime dhe gjoba ndaj spekulantëve për të mbrojtur prodhuesit dhe konsumatorët! Përndryshe në vend të luftës ndaj spekulantëve, ajo do tu bashkohej atyre! Kriza është një rast i artë për spekulantët! Çoroditja e tregut, paraliza e transportit dhe kufizimi i lëvizjes së njerëzve, shpie në rritje spekulative të çmimeve. Një kg luleshtrydhe në tregjet e qyteteve sot, shkon tre herë më shumë se në tregjet e shumicës! E kështu me radhë për të gjitha prodhimet. Nuk jemi në situatë normale, ku çmimet fundore i përcakton kërkesa dhe oferta dhe për rrjedhojë nuk justifikohet asnjë nderhyrje rregullatore.”

Sipas tij, oferta dhe kërkesa për produktet janë të goditura rëndë nga paraliza që ka shkaktuar pandemia e COVID-19.

“Por jemi në krizë! Ku edhe oferta ashtu si edhe kërkesa për produkte janë të goditura rëndë dhe janë të shtrembëruara nga paraliza e COVID. Prandaj duhet ndërhyrë, jo thjesht me kërcënime populiste për dënim të atyre të vegjëlve që tregëtojnë me çmimet që u imponojnë dhe vendosin “kartelet”, por duke gozhduar këta të fundit për spekulim dhe monopol.”

Nëse nuk do të ketë një rregullim të përkohshëm, Panariti theksoi se të fituar do të dalin vetëm “spekulantët”, të tjerët do të humbin.

“Në mungesë të “bursës” bujqësore, Qeveria ka në dorë të vendosë një “fixing” ditor ose javor të çmimeve të shumicës të tregut të prodhimeve bujqësore dhe duke përllogaritur me bujari marzhet e kostove të magazinimit, transportit dhe fitimit të pakicës të vendosë çati maksimale për çmimet fundore në tregjet e pakicës së qyteteve. Të cilat kurrsesi nuk mund të jenë sa trefishi i çmimit të prodhuesve. Kriza e kërkon këtë rregullim të përkohshëm. Përndryshe, fitojnë spekulantët, të tjerët humbin!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *