Zona pranë pallateve të Balshajve, e cila ndodhet në një nga lagjet kufitare mes Tiranës dhe Kamzës, po transformohet falë investimit të Bashkisë së Tiranës.
“Këtu jemi në një zonë periferike, e cila nuk ka qenë as e Kamzës as e Tiranës për shumë vjet, por me ndarjen e re administrative i ka kaluar kryeqytetit. E gjithë puna që po bëjmë në zonat periferike, si tek “Treshi”, edhe këtu në lagjen e “Balshajve”, edhe tek “Fresku”, te “Thesari” ku takohemi me Dajtin, edhe te zona e Kopshtit Zoologjik dhe Botanik, edhe te zona e lagjes ‘Rilindja’ ku kalon Unaza e Madhe, më në fund është futur në konceptin e 100 lagjeve ku po ndërhyjmë”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.
Erion Veliaj theksoi se një problem i hasur në këtë zonë janë kolektorët poshtë banesave.
“Do të bëjmë maksimumin që edhe gjatë pushimeve të dimrit mos të cedojë puna, do vazhdojmë me të njëjtin ritëm. E kemi shumë të rëndësishme që të adresojmë disa nga problematikat e mbartura, siç është problematika e kolektorëve. Shumë banorë, të cilët janë transferuar këtu ndër vite, nuk kanë pasur as harta. Do të mundohemi maksimalisht të evitojmë prishjet”, theksoi Veliaj.
Të gjitha këto investime shtoi kryebashkiaku, do të shtojnë vlerën e banesave në këtë zonë, në mënyrë që edhe lagjja “Balshaj” të përfitojë nga rritja ekonomike në Tiranë./vizionplus.tv