Gazetarja Daphne Caruana Galizia, e cila udhëhoqi investigimin e skandalit të njohur si “Panama Papers” dhe lidhjet me korrupsionin në Maltë është vrarë ditën e djeshme në një atentat me bombë në makinën e saj.

 

Galizia ishte një blogere e njohur dhe shkrimet investigative të saj tërhiqnin mijëra lexues e publikoheshin në disa nga mediat më të rëndësishme në Maltë.

 

Në vitin 2016 dhe 2017, analiza e Galicia e Panama Papers zbuloi se disa politikanë malazezë ishin të lidhur me kompanitë e listuara në Panama Papers, duke përfshirë edhe gruan e Kryeministrit Maltez Joseph Muscat.

 

Para një viti, Caruna Galizia pretendoi se dokumente nga një bankë e vogël me bazë në Maltë treguan se gruaja e kryeministrit Muscat ishte pronare përfituese e një kompanie në Panama dhe se shuma të mëdha parash ishin transferuar mes kompanisë dhe llogarive bankare në Azerbajxhan.

 

Sipas mediave të huaja, Galizia kishte denoncuar 14 ditë më parë në polici kërcënimet me vdekje në adresë të saj. Gazetarja e njohur u vra katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u organizuan pasi ajo akuzoi kryeministrin Joseph Muscat dhe gruan e tij për lidhje me skandalin “Pamana Papers”.

 

Akuza e gazetares se kryeministri dhe bashkëshortja e tij kishin llogari bankare jashtë vendit për të fshehur paratë që i vinin nga sundimtarët e Azerbajxhanit, rrëzoi qeverinë, megjithëse Muskat arriti ti fitojë sërish zgjedhjet.

 

Vrasja e gazetares malteze, zbulueses së skandalit të Panama Papers,Daphne Caruana Galizia, ka shkaktuar reagime të ashpra. Julian Assange, themeluesi i Wikileaks ofron 20 mijë euro shpërblim lidhur me ata qe do te japin informacione qe do te ҫojne ne kapjen e autoreve te krimit barbar. Assange e vlerëson gazetaren si ” gruaja Wikileaks”.

 

Panama Papers është emri që lidhet me 11,5 milionë dokumente të dala në dritë falë një investigimi gazetaresk, rrjedhja më e madhe e informacioneve financiare në histori. Hetimi është kryer në nivel ndërkombëtar nga 378 gazetarë, që i përkasin mediave kryesore të vendeve të ndryshme, që përbëjnë “Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë ( ICIJ )”.

 

 

Hetimi i “Panama Papers” ka të bëjë me një studio ligjore Mossack Fonseca në Panama, një nga “fabrikat” më të mëdha në botën e shoqërive offshore. Më konkretisht, termi i referohet vendeve ku një individ mund të paguajë taksa shumë të ulëta, ndonjëherë afër zeros, dhe kompania apo llogaritë bankare mbeten të fshehta. Këto shtete janë përdorur shpesh nga njerëzit që kërkojnë të bëjnë të paprekshme një pjesë apo të gjithë pasurinë e tyre.

 

 

Hetimi i Panama Papers lidhet me më shumë se 214 mijë shoqëri offshore që lidhet me persona që jetojnë në mbi 200 shtete të ndryshme. Investigimi ka arritur të zbulojë ekzistencën e shoqërive offshore të paarritshme direkt apo indirekt. 140 prej tyre i përkasin burrave të shtetit të disa vendeve të botës por edhe politikanëve të ndryshëm. Mes tyre janë 12 krerë shtetesh dhe ish liderë të politikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *