Pjesëmarrja në arsimin profesional po shënon rritje të vazhdueshme, duke tërhequr vëmendjen e nxënësve të klasave të dhjeta.
“Kam zgjedhur degën e kuzhinës se më pëlqente të gatuaj për vete, të mësoja pak për gatimin.”
“Zgjodha Hoteleri-Turizëm EHL sepse është një projekt shumë i zhvilluar, kanë ardhur edhe libra të rinj që vijnë për herë të parë në shkollën tonë. Hoteleria të jep shumë mundësi për të ardhmen tënde, të hap shumë dyer.”
Për këtë vit akademik, regjistrimet pritet të kalojnë nivelin 20%, duke vijuar trendin pozitiv të nisur një vit më parë.
“Pjesëmarrja në arsimin profesional është një nga objektivat më të rëndësishme të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023–2030, që synon që 1 në 3 nxënës të ndjekin arsimin profesional. Vitin e kaluar u arrit një nivel historik prej 19%, ndërsa këtë vit shpresojmë të kalojmë 20%”, tha Etleva Gjelaj, nga Drejtoria e Menaxhimit të arsimit dhe Formimit Profesional.
Këtë vit vihet re një interes në rritje për profilet teknike, pasi këto profesione kërkohen më shumë në tregun e punës shoqëruar me paga më të mira.
“Çdo vit rishikohen kurrikulat ekzistuese , hartohen kurrikula të reja në përputhje me tregun e punës. Me qëllim që trë kemi një ofertë gjithmonë më fleksibël, gjithmonë më të përshtatur me ofertat e tregut të punës. Vetëm për këtë vit akademik ne kemi gati 8 kualifikime të reja te profilit te dualit që I bashkohen gjashtë profileve të vitit të kaluar”, tha Gjelaj.
Aktualisht janë regjistruar rreth 4.400 nxënës në arsimin profesional, por procesi mbetet i hapur deri në fund të muajit shtator. Ndërkohë, edhe pas kësaj periudhe, transferimet e nxënësve drejt arsimit profesional do të jenë të mundura gjatë gjithë vitit shkollor./vizionplus.tv





