Ekstremistë palestinezë hodhën qindra raketa nga Rripi i Gazës në Izrael të mërkurën, ndërsa Izraeli vazhdoi sulmet ajrore që kanë shkaktuar vdekjen e 23 palestinezëve, përfshirë tre esktremistë me peshë dhe të paktën 10 civilë.

 

 

Një stacion televiziv shtetëror egjiptian njoftoi se Egjipti, që shpesh ka negociuar mes palëve, po ndërmjetësonte një armëpushim. Por përpjekjet për armëpushim u duk se po dështonin pasi luftimet u intensifikuan të mërkurën vonë dhe asnjëra palë nuk tregoi ndonjë shenjë tërheqjeje.

 

 

Në orët e para të së enjtes, ushtria izraelite tha se vuri në shënjestër komandantin e skuadrës së raketave të Xhihadit Islamik, Ali Ghali në një sulm ajror ndaj një ndërtese në Rripin jugor të Gazës.

 

 

Ushtria tha se ai ishte fshehur në një apartament dhe se dy militantë të tjerë nga grupi u vranë gjithashtu në sulmin ajror ndaj një kompleksi banesash në Khan Younis.

 

 

Ghali urdhëroi dhe mori pjesë në sulmet me raketa kundër Izraelit në muajt e fundit.

 

 

Në një fjalim në televizion, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se Izraeli u kishte dhënë një goditje të ashpër militantëve, por ase përpjekjet nuk kanë përfunduar.

 

 

“Ne u themi terroristëve dhe atyre që i dërgojnë. Ju shohim kudo. Ju nuk mund të fshiheni, dhe ne e zgjedhim momentin dhe kohën për t’ju goditur”, tha ai.

 

 

Luftimet e fundit ishin më të ashprat mes palëve muajt e fundit. Por në një shenjë se të dyja palët po përpiqeshin të shfaqnin vetëpërmbajtje, Izraeli shmangu sulmet ndaj grupit militant Hamas në pushtet, duke vënë në shënjestër vetëm fraksionin më të vogël dhe më ekstremist të Xhihadit Islamik.

 

 

Izraeli dhe Hamasi janë angazhuar në katër luftra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *