Infrastruktura ka qenë një tjetër kategori ku shefi i qeverisë Edi Rama është ndalur duke theksuar se së shpejti do të ndërtohen dy rrugë të reja me PPP-të, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.

 

Në fjalën e tij kryeministri nuk ka nguruar që të thymbojë ish-kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademin dhe gjithashtu nuk ka harruar as Pogradecin, që gjithashtu drejtohej më parë nga të djathtët.

 

“Së shpejti nisin punimet për Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Milot-Balldren është pjesë e korridorit blu, europian dhe pjesë e projekteve rajonale të procesit të Berlinit, ndërsa Orikum-Dukat është një tjetër aks me rëndësi strategjike, të cilit duam ti bashkojmë tunelin e Llogarasë, për të cilin ka nisur studimi dhe së shpejti nis projekti. Prioritet nisja e punës për Shëngjin-Velipojë, për rrugën e Thethit, projekte të financuara që janë në fazat e fundit të procedurave. Nga ana tjetër rruga e Semanit. Shkodra do të marrë një rëndësi të vecantë, do të jetë zonë me prioritet strategjik, i gjithë rajoni i Shkodrës. Gjithashtu shumë shpejt Dibra do të jetë e lidhur me kryeqytetin dhe do të jetë një territor i ri që do të zbulohet nga sytë tanë një aks me bukuri përrallore.”

 

Ndër të tjera në bashkëbisedimin me gazetarët Rama ka deklaruar se janë të përgatitur dhe kemi një sërë projektesh, nga finalizimi i atyre të nisura apo të mbetura në start për shkak të murit shurdh të bashkisë, deri te disa projekte më të gjëra, që synojnë të krijojnë një atraksion të ri turistik nga liqeni deri në alpe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *