Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se fokusi kryesor i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv.

 

Gjatë një konference për media, Sejko foli për situatën në vend, teksa theksoi se inflacioni mbetet një kërcënim kryesor për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit.

 

“Diskutimet kanë pasur në fokus si sfidat aktuale ashtu dhe reformat strukturore. BSH dhe FMN kanë ndarë opinione të ngjashme mbi sfidat e zhvillimit që kemi përpara. Rritja e çmimeve në tregjet botërore i ka përballur ekonomitë me sfida serioze ekonomike, përfshirë Shqipërinë. Inflacioni në gusht në 8%. Inflacioni përbën kërcënimin kryesor mbi stabilitetin makroekonomik dhe mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë ekonomike të vendit.

 

Fokusi kryesor i politikave ekonomike duhet të jetë marrja e masave të koordinuara për zbutjen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv. BSH është fokusuar te normalizimi gradual i politikës monetare.

 

Projeksionet tona për të ardhmen sugjerojnë që inflacioni do mbetet i lartë dhe gjatë 2-3 muajve në vijim. më tej stabilizimi i tregjeve do të sjellin një reduktim të inflacionit. Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet.

 

Rritja ekonomike do vijojë të përfitojë nga stabiliteti i përgjithshëm. nga bilancet e shëndosha të familjeve dhe bizneseve si dhe mbështetja me kredi nga sektori bankar. Sektori bankar në Shqipëri i shëndetshëm dhe likuid”, deklaroi Sejko.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *