Norma e inflacionit të Britanisë arriti në 9.1 për qind në maj, një nivel rekord në katër dekadat e fundit. Zyra për Statistikat Kombëtare tha të mërkurën se inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit sërish në muajin maj, niveli më i lartë që nga viti 1982.

 

Ekonomisti Grant Fitzner tha se “rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimeve dhe çmimet e larta rekord të karburanteve u kompensuan nga kostot e veshjeve që u rritën më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

 

Rritja ishte në përputhje me pritjet e analistëve dhe sinjalizon se nuk ka një fund të shpejtë të rritjes së kostos së jetesës me të cilën përballen miliona njerëz në Britani. Banka e Anglisë thotë se inflacioni mund të arrijë në 11 për qind në tetor kur të hiqet edhe kufiri në faturat e brendshme të energjisë.

 

Miliona njerëz në Britani, si ata në të gjithë Evropën, po përballen me rritjen e kostos së tyre të jetesës, pjesërisht të nxitura nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila po kufizon furnizimet me energji dhe produkte ushqimore, siç është gruri.

 

Presioni po i shtyn punëtorët të kërkojnë rritje të konsiderueshme të pagave, një lëvizje që qeveria konservatore argumenton mund të çojë inflacionin edhe më të lartë.

 

Mijëra punëtorë hekurudhorë hynë të martën në grevë, duke kërkuar rritje të pagave, ndërsa aeroportet e vendit tashmë janë paralizuar për më shumë se një muaj për shkak të mungesës së stafit.

 

Nën presionin për të bërë më shumë për të ndihmuar familjet britanike, që po përballen me goditjen më të rëndë ekonomike në dekada, kryeministri Boris Johnson, tha se greva do të dëmtonte bizneset, ndërsa ato vazhdojnë të rimëkëmben nga pandemia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *