Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në konferencën e përmuajshme për mediat bëri një rezyme si ka performuar ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe, si dhe ccfarë impakti ka në ekonominë tonë lufta në Lindjen e Mesme.
Sejko theksoi se gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare ka patur një performancë të mirë. Sipas tij trendët e zhvillimit të ekonomisë do të jenë pozitive edhe në të ardhmen, teksa shtoi se inflacioni pritet të kthehet në objektiv gradualisht brenda vitit 2026.
Më tej guvernatori i BSH theksoi se vijimi i Luftimeve në Lindjen e Mesme mund të kthehet në një rrezik edhe pë ekonominë shqiptare në të ardhmen.
“Këshilli Mbikëqyrës mori në shqyrtim dhe miratoi raportin e politikës monetare. Ka pasur ecuri pozitive të ekonomisë në 3 mujorin e 2026. Inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare shfaqen të qeta, ndërsa kredia për sektorin privat vijon të shënojë një rritje solide dhe të qëndrueshme. Në këtë ecuri, një kontribut pozitiv ka patur edhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë.
Në skenarin bazë, trendet e zhvillimit të vendit pritet të mbeten pozitive edhe në të ardhmen. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide rritjeje gjatë dy viteve në vazhdim, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv gradualisht gjatë vitit 2026. Megjithatë konflikti në Lindjen e Mesme përbën një burim rreziku për ecurinë e ekonomisë botërore dhe të asaj shqiptare në të ardhmen, rrezik i cili është i vështirë të vlerësohet”, tha Sejko.
Më tej guvernatori Sejko theksoi se inflacioni i çmimeve të konsumit arriti në 2.4% gjatë dy muajve të parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt tre mujorit paraardhës.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti një nivel mesatar prej 2.4 % në dy muajtë e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt tre mujorit paraardhës. Kjo ecuri u diktua nga rritja e çmimeve të qirave, e disa artikujve ushqimorë, të disa artikujve të shërbimeve dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet.
Nga ana tjetër, presionet e brendshme mbi inflacionin kanë ardhur në rritje gjatë muajve të fundit, sikundër dëshmohet nga ecuria e inflacionit bazë dhe e atij të brendshëm. Megjithatë, kjo rritje duket se është përqendruar në segmentin e çmimit të qirave.
Sipas të dhënave të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 3.7% gjatë vitit të shkuar. Bazuar në konkluzionet e mësipërme, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 % dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një-vjetore në 1.5% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë 1 vjetore në 3.5%”, shtoi Sejko.





