Ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj rrëfeu se është infektuar nga koronavirusi.

Ajo tregoi me detaje, në “Facebook”, çdo shenjë që ka kaluar dhe si e ka përjetuar.

Përfaqësuesja e LSI tha se nga dita në ditë, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua.

“Gjithçka filloi mbrëmjen e para 16 ditëve. Teksa po qëndroja në shtëpi, kisha nja dy ditë që kisha një si kollë të lehtë, po si të thatë. Mendoja se ma kishte bere kondicioneri në shtëpi dhe në makinë kur lëvizja. Dhe atë natë thashë se ishte thjeshtë ftohje. Vura termometrin dhe shoh temperaturën 37.3. Trupi ndjehej shumë i këputur dhe dalëngadalë gjendja debole sa po vinte e rëndohej. Temperatura po rritej dhe i gjithë trupi ndjehej si i prerë. Dhimbje të tmerrshme gjymtyrësh, të cilat komandoheshin me vështirësi dhe trupi tërë kohës ishte i gjithë në djersë të ftohta, të cilat të detyronin të ndërroheshe tre-katër herë në ditë. Gjendja u rëndua në natën e pestë dhe të gjashtë. Tashmë shija kishte humbur, nuhatja nuk ekzistonte dhe nja dy net gjendesha si në kllapi. Trupin e kisha të dërrmuar, sikur më kishte kaluar një buldozer mbi të dhe nuk kisha dëshirë për të ngrënë asgjë. Më vinte të përzier dhe gjendja u rëndua më shumë kur diabeti shkoi nga 490 e më pas, pas insulinave, shkoi në 45, që më shkaktoi një gjendje lipotimie. Kjo pamje dhe kjo vuajtje do më shoqëronte deri ditën e tetë.”

Ajo rrëfeu se dhimbjet ishin shumë të forta. Por gjithçka nisi të përmirësohej në ditën e 13 të sëmundjes.

“Nga dhimbja me dilnin lot nga sytë. Në ditën e 13, filloi shija dhe temperatura ra fare. Tashmë po fillonte të përmirësohej edhe goja, e cila ishte bërë copë nga stomatitet dhe për herë të parë pas 13 ditësh fillova të ha pak bukë me djathë të bardhë, që mu duk gjëja më e mirë në botë. Sot është dita e 16 dhe tashmë jam në një gjendje shumë të mirë.”

Nora Malaj falenderoi të gjithë mjekët që e kanë ndjekur nga afër gjatë kësaj periudhe.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *