Denoncimi i parë i opozitës për këtë vit ishin inceneratoret, çështje e cila prej vitit 2017 ka qenë në qendër të aksionit politik të Partisë Demokratike. Anëtari i kryesisë, Belind Këlliçi publikoi sot vendimin e gjyqtares Flojera Davidhi për inceneratorin e Fierit, vendim në të cilin i tërhiqet vëmendja prokurorit Dritan Prençi për hetimin e paplotë të kësaj çështje.

“Në vendimin e saj, pika 100, gjyqtare Davidhi, evidenton përmes arsyetimit se, hetimet e kryera prej Prokurorisë SPAK (Prokuror Dritan Prençi) janë të mangëta, të cekëta, të pjesshme, të devijuara dhe selektive.”, tha anëtari i Kryesisë Belind Këlliçi.

Sipas Këlliçit prokurori Prençi, i cili po heton edhe inceneratorin e Tiranës, po amniston përgjegjësit realë të kësaj çështje. E ndërsa në 30 dhjetor Gjykata e Apelit la në burg drejtorët e bashkisë së Tiranës, Taulant Tusha dhe Naim Simixhiu, Këlliçi paralajmëroi se opozita do të bëjë gjithçka për zbardhjen e të vërtetës për inceneratorin e kryeqytetit.

“Nëse Dritan Prençi fsheh prova dhe fakte për inceneratorin e Tiranës, ne do të bëjmë kallëzim penal ndaj tij nëSPAK”, shtoi Këlliçi.

Kjo ishte konferenca e parë në selinë e PD që zhvillohej pa liderin e opozitës Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie. Për të mbushur boshllëkun e krijuar nga izolimi i Berishës, drejtuesit kryesorë të partisë do të nisin një tur në çdo qytet të vendit.

“Ne do të ndahemi në 4 grupe dhe do të shpërndahemi në të gjithë vendin për të takuar demokratët dhe riorganizuar partinë.”, u shpreh nënkryetari i PD-së së Rithemelimit Luçiano Boçi.

Nga ana tjetër pavarësisht mungesës së Sali Berishës, deputetët e opozitës do të vazhdojnë të bllokojnë çdo mbledhje të parlamentit deri në plotësimin e kërkesave për komisionet hetimore dhe komisionin e reformës zgjedhore./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *