“Imazhe nga Azia” titullohet ekspozita fotografike, e cila u çel mbrëmjen e të premtes në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës.
Fotografi italian, Massimo Saretta ka sjelle 84 fotografi që sjellin një panoramë nga vende te ndryshme te Azisë, për të prezantuar identitetin dhe kulturën e këtyre popujve.
Duke vlerësuar Shqipërinë, autori i ekspozitës tregon se ky projekt lindi 25 vite më parë, duke ndaluar në shumë vende, ku stacioni i fundit është Durrësi.
“”Imazhe nga Azia”, në fakt ka lindur 25 vite më parë, me një projekt të mëparshëm të zhvilluar në Indi që përfshin rreth tetë vite punë. Më pas vendosa të punoj edhe në vende të tjera aziatike. Kam vizituar dhe kam punuar në Kinë, Japoni, Kamboxhia, Vietnam, Bangladesh, Laos, Nepal, dhe kam realizuar, këtë projekt të titulluar “Asia”. Ky projekt, ndër të tjera, është prezantuar në Sallën e Shtypit të Dhomës së Deputetëve në Itali më 23 tetor 2023 e më pas në qytete të tjera Italiane. Fotot prezantojnë antropologjinë, kulturën, fenë e Azisë”, tha Massimo Saretta.
Kjo është ekspozita e parë që prezantohet në Durrës për këtë vit thotë kuratori, Oltsen Gripshi dhe që ka si autor një emër të njohur në arenën ndërkombëtare.
Ekspozita fton çdokënd të ndalet, të reflektojë, të ndiejë artin e fotografisë, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më datë 26 shkurt./vizionplus.tv





