Subscribe

Pesë vitet si president Ilir Meta i mbyll me një falenderim dhe një urim. Në ditën e fundit në krye të shtetit në një mesazh të shpërndarë në faqen e Facebooku-t, Ilir Meta e quan një privilegj të jashtëzakonshëm shërbimin si president.

 

Në foton përkrah tre fëmijëve, ku mungon Monika Kryemadhi që u tërhoq nga ushtrimi i detyrës si zonja e parë, presidenti i uron atdheut dhe kombit me të mirën.

 

Me përfundimin e mandatit të Ilir Metës, karrigen e presidentit deri në korrikun e 2027-ës do ta mbajë Bajram Begaj. Ish shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura betohet sot.

 

Në një seancë të veçantë, parlamenti do të mblidhet për ceremoninë betuese të Bajram Begaj pasdite. Pasi të betohet me dorën në kushtetutë se do ta mbrojë atë dhe të mbajë fjalën e parë para të zgjedhurve të popullit, kreu i ri i shtetit do të shkojë në presidencë.

 

Ceremonia e pritjes së Bajram Begaj dhe përcjellljes së Ilir Metës do të zgjasë 45 minuta. Me dorëzimin e ligjit themeltar nga kryetarja e gjykatës kushtetuese, Vitore Tusha, Bajram Begaj nis detyrën e tij të re.

 

Betimi i kreut të ri të shtetit pritet të bojkotohet nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij. Do të shihet nëse deputetët demokratë që njohin si drejtues Enkelejd Alibeaj dhe aleatët e PD-së do të jenë në sallën e kuvedit për të dëgjuar mesazhin e Bajram Begaj.

 

I propozuar nga Partia Socialiste, presidenti i ri u zgjodh me 78 votat e PS, tre të aleatëve të pazyrtarizuar, deputetët e Partisë Social-Demokrate të Tom Doshit dhe një nga PDIU e Shpëtim Idrizit.

 

E gjithë Partia Demokratike e bojkotoi procesin e votimit në seancën e 4 qershorit. Të vetmit nga aleatët dhe bashëpunëtorët e PD-sës që morën pjesë ishin deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të PDIU-s.

 

Nga Partia Demokratike zgjedhja e presidentit është cilësuar jokushtetuese, ndërsa nga mazhoranca qeverisëse një figurë jopartiake, përbashkuese dhe shëmbëlltyra e normalitetit.

 

Bajram Begaj vjen në krye të shtetit me premtimin se do të respektojë në mënyrë të barabartë çdo përfaqësues të popullit dhe se do t’i qëndrojë besnik vendit dhe kushtetutës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *