Ish-presidenti Ilir Meta nuk ia doli të rifitojë lirinë që e humbi 9 muaj më parë. Pas shumë përpjekjesh, edhe me vendim të Apelit të Posaçëm ai do të qëndrojë në qelinë e paraburgimit të 313-ës në Tiranë. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, i zhgënjyer tha se Gjykata nuk u ngrit në lartësinë që kërkon shteti i së drejtës për të marrë një vendim ndryshe nga ai i Shkallës së Parë.
Kujtim Cakrani: Dy prokurorët nuk dhanë asnjë shpjegim përse duhet të qëndrojë presidenti në burg. Edhe të pyetur nga gjykata ishin të pafuqishëm, nuk kishin një arsye reale. Ne arsyet tona i dimë. Presidenti i Republikës po mbahet në kushtet e paraburgimit jo normale, por në kushtet e persekutimit politik. I janë mohuar të drejtat elementare, telefonatat. Gjykata këto i lejon, këta nuk janë gjyqtarë këta janë rrogëtarë, janë të varur dhe të kapur.
Kreu i Partisë së Lirisë, nuk ishte prezent në momentin e dhënies së vendimit, pasi sipas avokatit të tij nuk ka më besim te gjykatat shqiptare, mirëpo ai reagoi në facebook-duke e cilësuar vendimin të pritshëm.
Ilir Meta: Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisë gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, (çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës), në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova. Nuk janë unë që intimidoj dëshmitarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.
Organi i akuzës tha se Meta mund të ndikojë në prova, ndaj nuk duhet liruar nga qelia. SPAK ka zgjatur hetimet për ish presidentin dhe ish- bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi deri në tetor të këtij viti. Ish-presidenti akuzohet se ka kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje të origjinës së tyre në lidhje me dosjet Cez-Dia, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për shpenzime familjare./vizionplus.tv





