Për të katërtën herë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj shkoi në SPAK mëngjesin e kësaj të premteje për t’u pyetur sërish për koncesionin e sterilizimit, si person nën hetim.
Beqaj kaloi derën e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij për të dhënë sqarime të mëtejshme për dy prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili për shpërdorimin e detyrës, për të cilin akuzohet dhe për falsifikimin e vulave dhe stampave zyrtare.
Lexo edhe :
Të martën, pasi u pyet për 9 orë me radhë, Beqaj, i cili është në masë sigurie “Detyrim paraqitje”, konfirmoi para mediave se pajisjet që iu sekuestruan gjatë një kontrolli në banesën e tij, do t’i riktheheshin.
Ai i bëri thirrje SPAK që të shtrinte në kohë hetimet, edhe për vitet 2011 – 2013 e po ashtu të bënte nje konkluzion të përfitimeve të koncesionit për vitet pasuese.
Ish-ministri ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën, por SPAK nga ana tjetër dyshon se ai me veprimet dhe mosveprimet e tij ka shpërdoruar detyrën.
Beqaj rezulton nën hetim edhe për dosjen e Check-Up si dhe për abuzimet që dyshohet se janë kryer në Agjencinë e drejtuar nga ai deri pak kohë më parë e që kane të bëjne me koordinimin e fondeve të vendeve të huaja.
Për këtë dosje, SPAK ka siguruar edhe përgjime ambientale dhe telefonike. SPAK po verifikon edhe pasurine e ish-ministrit të Shëndetësisë./vizionplus.tv






