Prej afro 6 orësh, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i shoqëruar nga avokati i tij, është marrë në pyetje nga SPAK. Kjo është hera e tretë që Beqaj dëshmon në lidhje me dosjen e sterilizimit si person nën hetim ndaj të cilit më heret togat e zeza vendosen edhe masën detyrim paraqitje.
Pjesë e kësaj dosjeje janë edhe persona të tjerë, ish-zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, mes tyre ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Fillimisht Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre, por më pas iu shtua edhe akuza e falsifikimit të vulave dhe stampave zyrtare. Sa i takon hetimeve që janë në duart e SPAK, Beqaj rezulton nën hetim edhe për dosjen e Check-Up si dhe për abuzimet e që dyshohet se janë kryer në Agjencinë e drejtuar nga Beqaj deri pak kohë më parë e që kishte të bënte me koordinimin e fondeve të vendeve të huaja (SASPAC).
Gjatë hetimeve, me urdhër të SPAK u kryen edhe kontrolle në banesën e Ilir Beqajt ku u sekuestruan lap-topë, telefonë dhe disa dokumente. Për këtë dosje, SPAK ka siguruar edhe përgjime ambientale dhe telefonike.
Në sitën e hetuesve është edhe pasuria e ish-ministrit të Shëndetësisë. Ndërkohë pak ditë më parë, BKH zbarkoi edhe në disa biznese faramceutike private pasi ka dyshime se përmes skemave korruptive janë përfituar tendera dhe favore të tjera gjatë kohësh kur në krye të shëndetësisë ishte Beqaj.
Në lidhje me këto kontrolle, hestuesit kanë dyshime se bëhet fjalë për transaksione që arrijnë deri në 2.8 milionë euro. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e shoferit të Beqajt, Arben Danit si dhe personave të tjerë.
Hetimeve të SPAK nuk i ka shpëtuar as bashkëshortja e ish-ministrit, Adriana Beqaj, të cilës po i verifikohet pasuria si dhe disa aksione që ajo ka patur më heret në një kompani private./vizionplus.tv





