“I shpreh mirënjohjen Ramës e Gjonajt”/ Zv.ministrja e Drejtësisë jep dorëheqjen, tregon arsyen

Zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka ka dhënë dorëheqjen. Sipas saj, ky vendimi nuk ka të bëje për kushtet e punës, por është plotësisht personal.
Ajo i ka shprehur mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për “nderin dhe privilegjin që ofroi për të shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë”.
Cakaj shkruan gjithashtu se ka qenë një përvojë e vyer për të që të punojë rreth 17 muaj pranë Ministres së Drejtësisë.
“Për arsye që nuk lidhen absolutisht me objektin e veprimtarisë së punës sime apo aktivitetit tim publik dhe tërësisht vetjake, më duhet që nga sot të tërhiqem nga funksioni im si Zëvendësministre e Drejtësisë. Unë e kam shumë të vështirë të flas kur vjen çështja te punët e mira që kemi bërë, pasi para se të jenë lëndë e parë për fjalë triumfi, ato janë kontribute për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithsesi në pak rreshta dua të them se ndihem shumë me fat që në këto muaj të kem qenë pjesë e ekipit drejtues për hartimin e një Plani të ri veprimi kundër Korrupsionit që do të shtrihet nga 2020-2023, një dokument me 84 masa që përfshin 22 institucione, të cilat do të punojnë së bashku për më shumë transparencë, llogaridhënie dhe eficencë në ritmin e luftës kundër korrupsionit në vend. Për herë të parë hartuam një Metodologji për Vlerësimin e Riskut të Korrupsionit në çdo departament të Ministrisë së Drejtësisë si edhe një Plan Integriteti; sollëm Javën e Integritetit si një pikë takimi midis akademisë, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe administratës publike për të diskutuar si ta bëjmë më të fortë luftën ndaj korrupsionit dhe si të ndryshojmë mentalitetin mbizotërues drejt një mendjeje e karakteri shërbyesi publik që preferon një zgjidhje me integritetit në raport të një afere të shpejtë korruptive.”




