Ngjarja e rëndë që nisi me plagosjen e 15-vjeçarit Erjon Boba afro dy javë më parë në Durrës, të enjten pati fund tragjik. Ai humbi jetën teksa gjendej në spital në Tiranë, ndërsa këtë të premte u krye ceremonia e varrimit në vendlindjen e tij, në Bulqizë.
Babai i 15-vjeçari thotë se djali i tij atë ditë kishte dalë nga shtëpia si normalisht, për të shkuar si fillim në shkollë e më pas në punë, pasi pasditeve punonte si kamerier part time për të ndihmuar në familje.
Lexo edhe :
Related Posts
“Djali ka qenë në shkollë deri në 12:00, më pas është nisur për punë, s’ka pasur asnjë konflikt se do më kishte thënë. Di që i ka thënë një shok hajde se kemi një muhabet për të sqaruar me disa çuna”, tha babai.
Adem Boba thotë se ai kërkon tani vetëm drejtësi për jetën e humbur të djalit të tij adoleshent.
“Nga shteti më shumë se drejtësi çfarë të kërkoj. Mund të kenë qenë 6-7 çuna në konflikt. Prindërit e djalit më kanë ardhur më ka thënë po ata e kanë bërë në acarim e sipër, por nuk kam folurmë me ta se kam pasur hall tjetër. Edhe kisha thënë me vete që po të më shpëtonte djali do e falja tani se di. Nuk i pranoj për ngushëllim. Unë dua çfarë parashikon ligji dënim”, tha ai.
Në lagjen ku familja Boba rrinte me qira, në zonën e ish-Kënetës, në Durrës, banorët shprehen të tronditur për ngjarjen e rëndë.
“Atje te kabina e kanë vrarë. Ne jemi në një vend, djalë i urtë, i sjellshëm. Unë kam rrit 5 kalamaj po s’na ka bërë vaki kshu ngjarjesh”, tha një banore.
“Na erdhi shume keq për ngjarjen, tragjedi shumë e rëndë. Duhen të merren masa për këto ngjarje”, tha një banor tjetër.
15-vjeçari u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pak pas mesditës së 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Burimet policore thanë se konflikti nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë. Autori 14 vjecar është tashmë në burg.






