Policia Kufitare ka gjobitur me 300 mijë lekë të rinj drejtuesin e një Jet Ski, pasi shkeli perimetrin e sigurisë në plazhin e Bunecit. Rasti u raportua nga pushuesit, ndërsa mjeti lundrues u bllokua nga shërbimet e Policisë.
“Pas raportimit për një mjet lundrues që po lëvizte brenda perimetrit të sigurisë dhe rrezikonte pushuesit, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë menjëherë.
Gjatë kontrollit në zonë, shërbimet konstatuan Jet Ski-n, i cili u bllokua. Ndërkohë, drejtuesi i tij, shtetasi A. Gj., u ndëshkua me masë administrative prej 300 mijë lekësh të rinj, për shkeljen e perimetrit të sigurisë në zonën e plazhit”, njofton policia.
Policia e Shtetit i bën apel pushuesve që të vijojnë të raportojnë çdo rast të shkeljes së rregullave që mund të cenojë sigurinë e tyre.




