Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha këtë të premte se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën dhe rrugës së saj drejt përparimit.
Deklaratat Hovenier i bëri pas takimit të lamtumirës që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën, vendosën kurora lulesh pranë shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
“Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha Hovenier.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e diplomatit amerikan gjatë punës në Kosovë.
“E falënderoj ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e tij të fuqishëm në mbrojtjen e shtetit të pavarur, sovran, multietnik dhe në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës”, tha Presidentja.
Hovenier ka shërbyer si ambasadori i SHBA-së në Kosovë në tre vjetët e fundit. /vizionplus.tv





