Eshtë përkujtuar këtë të shtunë 107-vjetori i vdekjes së plakut të urtë të Pavarësisë, Ismail Qemali.
Në varrin monumental janë zhvilluar homazhe, ku të pranishëm ishin drejtues të lartë vendor, ministra, politikanë e zyrtarë të tjerë.
Ata vendosën kurora me lule në nderim të veprës së themeluesit të shtetit shqiptar.
“Është njeriu që nuk bashkoi vetëm mendjet, por edhe zemrat e shqiptarëve dhe krijoi pavarësinë në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë. Pa diskutim, i dha emër edhe këtij qyteti dhe me hapin e tij duhet të ecim edhe ne”, tha kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini.
“Përkujtimi i figurës së Ismail Qemalit është jo vetëm një detyrë, por edhe një përgjegjësi për sa i përket ruajtjes së veprës dhe kujtimit të familjes së tij”, tha ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Edhe përfaqësues të Partisë Demokratike zhvilluan homazhe, por në një orar tjetër nga ai i përfaqësuesve të shumicës.
“Ismail Qemal Vlora ka qenë, është dhe do të mbetet personaliteti i padiskutueshëm i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që finalizoi të gjitha luftërat dhe përpjekjet e shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë”, tha deputeti demokrat Bujar Leskaj.
Më 24 janar 1919, Ismail Qemali ndërroi jetë. Eshtrat e tij prehen në Sheshin e Flamurit./vizionplus.tv





