Familjarë, miq dhe përfaqësues të pushtetit vendor bënë homazhe dhe i dhanë lamtumirën e fundit 50-vjeçarit Arben Anamali, i cili humbi jetën në ujërat e liqenit të Shkodrës, duke u ardhur në ndihmë 5 turistëve që po mbyteshin. Mes lotësh bashkëshortja e kapitenit dhe nipi i tij treguan për momentet kur mësuan lajmin e rëndë të humbjes së njeriut të tyre të dashur.
“Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë për nanën, mua për fëmijët. Për të gjithë që e kanë njohur sepse ka qenë njëri shumë i mirë dhe i përkushtuar. Dha jetën e vet për turistët. Një kolege e tij me mori në telefon e më tha që po nisi dikë të marrë sepse Arbeni ka pësuar një aksident në liqen e mendova që aksident të lehtë por nuk e mendova kurrë që është mbyt sepse ka qenë shumë i fortë fizikisht, notar i mirë”, tha bashkëshortja e të ndjerit, Najada Anamali.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj bashkë me kurorën me lule, i ka dërguar edhe një mesazh ngushëllimi familjes së “Dëshmorit të Atdheut”.
Edhe drejtuesit e pushtetit vendor vleresuan aktin heroik të kapitenit Anamali.
50-vjeçari Anamali u mbyt në liqenin e Shkodrës duke u ardhur në ndihmë një grupi turistësh Izraelit. Pas 48 orësh kërkime ai u gjet nga polumbarët. Qeveria shqiptare për aktin e tij heroik i dha statusin “Dëshmor i Atdheut”./vizionplus.tv




