Në pak ditë prokurori Arben Kraja do të paraqitet në Gjykatën e Lartë për të respektuar procedurën se a plotësohen kushtet që gjyqtarja Majlinda Andrea e akuzuar për korrupsion në një çështje pronësie duhet të vijojë të jetë e pezulluar nga detyra, ndërsa të gjithë të tjerët e arrestuar në këtë dosje të qëndrojnë në burg. Normalisht sipas praktikës diçka e tillë bëhet në çdo gjykatë 1 herë në dy muaj, por në mungesë të dispozitave kalimtare dhe me Kushtetutën e re ka një ngërç. Drejtues te organit te akuzës thanë se rasti i gjyqtares Andrea është më delikati, pasi tashmë mbrojtjes i lind e drejta ta cilësojë masën e pezullimit të saj si antikushtetuese. Kjo pasi nuk është më Prokuroria e Përgjithshme ajo që ka në juridiksion hetimin e zyrtarëve të lartë por struktura e re e Prokurorisë së Posaçme. Në mungesë të SPAK ende nuk dihet se si do procedohet. E njëjta histori paraqitet dhe në dosjen Doshi. Deputeti i majtë ka dy çështje. Një për inskenimin e vrasjes së tij si dhe një hetim të dërguar nga ILDKP për fshehje pasurie. Edhe këtu në mungesë të vijimit të hetimeve mbrojtja pritet të kërkojë antikushtetueshmërinë e hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme e ndryshim të masës. Një tjetër zyrtar i lartë në proces hetimi është ish deputeti socialist Armando Prenga. I dyshuar si një nga protagonistët kryesorë në përplasjen me armë në shtator të 2015 në komisariatin e Fushë Krujës hetimet për të vijojnë ende. Ndonëse Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie tashmë hetimi ndaj tij nuk mund të vijojë deri në ngritjen e prokurorisë së posaçme. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në mungesë të dispozitave të përkohshme këto janë rastet të cilat preken drejtpërdrejt nga reforma në drejtësi.
Ndonëse për to Gjykata e Lartë do të vijojë praktikën normale, mbrojtja pritet të veprojë duke kërkuar paligjshmëri të hetimeve deri në gjykatën kushtetuese.